Uji është një nga komponentët më të rëndësishëm të trupit tonë dhe është direkt i përfshirë në të gjitha proçeset tona metabolike, si transporti i elementëve ushqyes nëpërmjet gjakut në qelizat tona,eliminimi i toksinave, termorregullimi etj.

Uji përfaqëson rreth 70% të peshës trupore te një i rritur dhe deri në 80% të peshës trupore të një foshnje. Sasia e ujit në organizmin tonë duhet të mbahet në nivele kostante, pra me fjalë të tjera uji që humbasim nga djersitja ose përmes funksionesh të tjera vitale, duhet të zëvendësohet plotësisht çdo ditë. Ky cikël quhet cikli i qarkullimit ose i zëvendësimit të ujit në organizëm dhe është vendimtar që një organ të funksionojë më së miri.
Çdo gjashtë javë, sasia e ujit në organizmin tonë zëvendësohet me ujë të ri.
Prandaj, është me rëndësi pirja e ujit para se të shfaqet ndjesia e etjes. Normalisht, çdo i rritur duhet të pijë të paktën 2 litra ujë në ditë për të gëzuar një shëndet të mirë, një hidratim të përsosur të lëkurës dhe një formë fizike optimale.

Uji mineral kategorizohet në bazë të pastërtisë në burim dhe përbërjes në kripëra minerale, të cilat përcaktojnë ndikimin e tij të dobishëm mbi shëndetin tonë. Përbërja minerale varet nga shtresat e nëntokës malore që uji ka përshkuar në shekuj.
Bazuar në përbërjen minerale, uji mund të jetë pak i mineralizuar (më pak se 50 mg / l), oligomineral (jo më shumë se 500 mg / l), me përmbajtje të lartë minerale (500 mg / l në 1.000 mg / l) dhe shumë i mineralizuar (me më shumë se 1500 mg / l).


SI TË KUPTOJMË CILI UJË ËSHTË MË I MIRI PËR NE?


Pastërtia Mikrobiologjike dhe Kimike

Uji duhet të jetë mikrobiologjikisht dhe kimikisht i pastër pra s’duhet të përmbajë baktere, viruse, pesticide, nitrate të dëmshme për shëndetin tonë. Sa më e madhe të jetë lartësia në të cilën ndodhet burimi, aq më e vogël është mundësia e ndotjes natyrale të ujit me pesticide dhe substanca të tjera të dëmshme.


Përmbajtja e ulët Minerale - Ujë i lehtë

Uji duhet të jetë i lehtë dhe pak i mineralizuar. Sasia e mineraleve të tretura në ujë është një tregues bazë për ujin mineral natyral, paraqitur në etiketë në formën e parametrit “Mbetje e thatë në 180˚C në mg / l". Sa më e ulët të jetë kjo vlerë, aq më i mirë është uji. Ujërat me mbetje të thatë nën 150 mg/l konsiderohen ujëra të lehtë.


Rëndësia e Mineraleve

Uji duhet të jetë i pasur në minerale të dobishme për trupin e njeriut.
Ndër mineralet e dobishme përmenden: Magnezi që mbron zemrën, veshkat, sistemin muskular dhe ndihmon tretjen, Kalciumi si element integrues i kockave dhe i rëndësishëm për sistemin dentar, Bikarbonatet në sasi të konsiderueshme ndihmojnë tretjen dhe janë pozitive për asimilimin e energjisë në formën e duhur, etj. Substancat që duhet të jenë prezente në sasi të limituara janë Natriumi i cili në sasi të mëdha pengon proçesin e qarkullimit të ujit në organizëm, Nitratet që janë substanca ndotëse dhe gjithashtu produkti nuk duhet të shfaqë asnjë prezencë Nitritesh.