Pak Histori

Historia e kompanisë sonë nis në vitin 2005, kur një nga kompanitë lider në sektorin ushqimor në Shqipëri, EHW GmbH, vendos t’i japë jetë një projekti mbi realizimin e një linje moderne për ambalazhimin e ujit të kulluar që buron nga mali i Qafshtamës,10 km nga qyteti i Krujës.

Kështu, nis zbatimi i projektit të parë serioz në Shqipëri, që parashikon ndërtimin e një stabilimenti për mbushjen e ujit direkt nga burimi, në lartësinë 1.350 metra mbi nivelin e detit. EHW prezanton në treg produktin me markën "Qafshtama", emër që sjell në mend malin nga i cili buron e vetitë e rralla të njërit prej burimeve më të njohura në Shqipëri.

Uji mbushet direkt në burim, pa iu nënshtruar asnjë trajtimi kimiko-fizik që do të alteronte cilësitë e produktit. I vetmi proçes para mbushjes është filtrimi i ujit, përmes një sistemi filtrash të avancuar që garanton pastërti mikrobiologjike absolute.

Çdo pikë e ujit Qafshtama analizohet çdo ditë nga ekspertët e EHW në laboratorët e kompanisë, në mënyrë që pastërtia e plotë mikrobiologjike të mund të garantohet në vazhdimësi.

Veç kësaj, analiza të përjavshme kryhen nga ekspertët e Institutit mbi Sigurinë Ushqimore.


Pak Shifra


Qafshtama ka njohur një zhvillim të shpejtë në vitet e para të ekzistencës së saj, me një rritje mesatare vjetore të të ardhurave rreth 20%, duke përfaqësuar në 2009 një nga aktorët kryesore të tregut të ujit të ambalazhuar në Shqipëri, me një kuotë tregu në rritje të shpejtë.

Kompania ka një linjë prodhimi tërësisht të automatizuar. Rrjeti i shpërndarjes është në pronësi të kompanisë dhe garanton një mbulim të mirë të tregut të brendshëm, veçanërisht të zonës më të zhvilluar të Shqipërisë së mesme me mbi 600 klientë.

Në rrethe të tjera veç Tiranës, kompania operon kryesisht me distributorë të pavarur duke monitoruar gjithmonë performancën e tyre e raportin me klientelën, me qëllim që imazhi i markës dhe produktit të forcohet gjithnjë e më shumë, duke promovuar vlerat e vërteta të këtij produkti për konsumatorët.

EHW po zgjeron në vazhdimësi kapacitetin prodhues të linjës në fabrikën e Qafshtamës, me synim për të shtrirë më tej në të ardhmen aktivitetin edhe në tregjet ndërkombëtare.